Vetëvrasja


 Nga: Pranvera Nevzadi

Vetëvrasja, nuk është një vendim që merret aty për aty. Është një ndjenjë pikëllimi, dëshpërimi e faji që akumulohet ndër vite. Nuk mundet një njeri ta vras veten për një shqetësim të çastit, dhe përshkrimi i familjarëve pas vdekjes së viktimës, “Ishte mirë, vinte, shkonte, fliste, nuk bënte probleme, dukej kështu e dukej ashtu”, është një tregues i dhimbshëm se në shumicën e familjeve tona antarët tjerë kurrë nuk pyeten “Si ndihesh (emocionalisht)? Si je?” Ata nuk e njohin gjendjen shpirtërore të njerëzve për rreth. Ata nuk i njohin mirë të dashurit e tyre. Kjo distancë emocionale sa është e dhimbshme, është edhe përgjegjëse.

Në rast të ndonjë virusi apo gripi, organizohen ceremoni vizitash nga farefisi me qeset plot banane e boronica. Por, t’i shkojë nëpërmend dikujt se dikush vuan shpirtërisht, ta kuptoj dikush ngarkesën psikologjike të dikujt, në kulturën tonë nuk gjen zbatim një kujdes i tillë fatkeqësisht. Vetvrasja mbetet një “Akt individual” dhe përfundon me ceremoninë e varrimit duke lënë prapa një mister dhe një mal pikëpyetjesh në kokën tonë, e duke mos bërë asnjë hulumtim që merret me këtë fenomen, në mënyrë që të jepen paralajmërime apo edhe rekomandime se çka duhet bërë dhe si duhen menagjuar situatat depresive apo stresuese.

Nga paslufta e deri më tash në vendin tonë afërsisht janë kryer mbi 950 akte të vetvrasjeve. Kjo shifër në proporcion me numrin e banorëve në Kosovë është shqetësuese dhe Institucionet duhet ta marrin seriozisht trajtimin e kësaj dukurie (sepse është shndërruar tashmë në dukuri).

Në rrafshin global depresioni është ndër vrasësit kryesor. Kurse në Kosove, vie i treti me radhë pas vdekjeve natyrale dhe aksidenteve në komunikacion.
Pyetni njerëzit që keni përreth se si ndihen. Kujdesuni për antarët e familjes, sidomos shtoni kujdesin ndaj atyre që ndryshojnë sjellje dhe humbin interesin. Mos gjykoni! Por, dhuroni dashuri. Vështroni te afërmit përtej dhimbjeve fizike. Të shpëtosh një jetë është sikur ta shpëtosh tërë njerëzimin!

[historia jote nuk duhet të përfundoj kështu]

Post a Comment

Previous Next

نموذج الاتصال