SHËNJAT QË IU NDIHMOJNË TË KUPTONI QË FËMIJA/ I AFËRMI JUAJ KA RËNË NËN KTHETRAT E DROGËS


 

Nga: Valbona Hysenaj Miftari Kryemjeke në departamentin e varësisë në Klinik Königsfelden në Brugg të Zvicrës.

Përdorimi i drogave është shkatërrues dhe kërcënues për mirëqenien emocionale dhe fizike të konsumuesit. Përdorimi masiv është i rrezikshëm për jetën.
Me siguri shumë prindër në kohën e sotme janë të shqetësuar kur dëgjojnë të flitet shumë për konsumimin e drogës. Shumë prej tyre ndoshta edhe dyshojnë që fëmija i tyre është duke konsumuar, mirëpo nuk kanë fakte të mjaftueshme, apo nuk dijnë se si t’i qasen problemit. Ndoshta kanë provuar të bisedojnë me fëmijët e tyre mirëpo të mundur e të mllefosur i kanë kritikuar rëndë ata dhe kështu vetëm sa i kanë larguar nga vetja më shumë.
Prindërit e të rinjve që konsumojnë drogë e ndjejnë veten jo vetëm dëshpëruar, zhgënjyer, të dorëzuar, por edhe dështuar gjë e cila nuk guxon t’iu ndodhë. Ata pikë së pari nuk guxojnë t’a fajësojnë vetveten, por të mbledhin forcën për t’iu ndihmuar fëmijëve me përkrahjen e tyre morale dhe emocionale.
Nën kthetrat e drogës mund të kapërthehet edhe fëmija i prindërve më të përkushtuar. Shkaktarët janë nga më të ndryshmet. Këtu nuk do të ndalem tek shkaktarët.
Prindërit duhet thënë fëmijëve që pavarësisht gabimit që kanë bërë, ata do t‘iu qëndrojnë atyre pranë. Në vënd që t‘iu kërcënohen me dënime apo në rastin më ekstrem me përzënje nga shtëpia ata duhet të përpiqen që së bashku me ta të gjejnë një zgjidhje. Një gabim i shpeshtë është gjithashtu kur prindërit e shqetësuar pastaj papritmas nuk iu japin më para fëmijëve. Adoleshenti nëse vetëm ka hyrë në këtë rrugë (e kam fjalë kur varësia është jo vetëm psiqike por edhe fizike) ai duhet të plotësojë varësinë e tij dhe i duhen para për të. Mungesa e parave aktivizon energjinë kriminale dhe adoleshenti për t’iu shmangur simptomeve të abstinencës detyrohet të vjedhë. Në fillim turpërohet, por me kalimin e kohës pjesa e trurit e cila është përgjegjëse për turpin bëhet rezistente dhe kështu ai më nuk do të turpërohet nga vjedhjet dhe plaçkitjet. Prandaj është shumë e rëndësishme të jesh i kujdesshëm me paratë para se fëmija të jetë futur në këtë rrugë. Atëherë kur ka hyrë në këtë ferr paratë i ka të nevojshme për të mbijetuar. Tani është koha për strategjitë ndihmuese.

Natyrisht që nuk është e lehtë për të gjetur çelësin e duhur se si t‘iu ndihmoni e para së gjithash në një vend pa kushte mjekimi e rehabilitimi për këta persona.
Bisedat e hapura dhe të qeta janë shumë efikase. Prindërit nuk duhet të befasohen ose zhgënjehen nëse fëmija nuk tregon të vërtetën në bisedat e para. Në këto raste duhet të provoni përsëri dhe përsëri. Nëse nuk arrini si të vetëm atëherë duhet kërkuar sa më parë ndihmë profesionale. Nuk duhet mbajtur fshehur nga të tjerët, bisedat me njerëzit e afërt mund të jenë ndihmuese. Ndoshta dikush mund t’iu ndihmojë më shumë se sa mund t’a merrni me mend. Fshehja e problemit mund të dërgojë në kronicitet, kështu kohëzgjatja më madhe e konsumimit të drogës pa kërkimin e ndihmës profesionale ka prognozë më të keqe. Droga më nuk është tabu, është realitet i dhimbshëm.
Psikologët, psikiatrat dhe punëtorët socialë janë të shkolluar dhe të trajnuar posaçërisht për këto probleme dhe e kanë më të lehtë qasjen tek fëmijët dhe adoleshentët që kanë rënë nën kthetrat e varësisë.
Por ju si prindër, edhe nëse fëmija kërkon ndihmë profesionale, asnjëherë mos hiqni dorë nga ata. Ata janë fëmijët tuaj, janë pasuria juaj me e shtrenjtë. Ata nuk duhet të ndjehen asnjëherë të padëshiruar dhe të dëbuar.
Në çdo rast, vazhdoni t’u dhuroni dashuri!

SHËNJAT QË NJË NJËRI JUAJI PO KONSUMON

(Natyrisht këto shenja mund t’i ketë personi edhe tek problemet tjera sidomos në fazën e pubertetit, andaj kujdes t’mos ngatërrohen shenjat por gjithsesi këto shenja hasen tek përsonat që konsumojnë drogë).

  • Ndryshime e papritura të sjelljes. Personi duket i zymtë, i ndrojtur, mbyllet në vetvete, apo bëhet agresiv pa shkak.
  • Humbja e interesimit për mësimet. Për shembull, nëse një nxënës apo student i mirë papritmas e lēshon mësimin dhe merr vetëm nota të këqija, kjo shpesh lidhet me drogën. Droga jo vetëm që zvogëlon aftësinë mendore, por e përcakton tërësisht procesin e të menduarit të konsumuesit. Konsumuesi në vend që të përqendrohet në mësim, studime apo në profesion, ai mendon vetëm se si ta sigurojë dozën tjetër.
  • Fillon të shoqërohet me një rreth krejt të ri të miqve misteriozë dhe nuk dëshiron të dijë për miqtë e vjetër. Bën biseda të fshehta telefonike, i fsheh SMS-at apo i fshin menjëherë, i ndërron shpesh numrat e telefonit.
  • Mungesa e parave edhepse prindërit i japin para për nevojat.
  • Ndryshime në vlerat dhe moralin e personit.
    Ata tani bëjnë gjëra që më parë i konsideronin amorale (gënjeshtra, mashtrime, vjedhje, hua me shuma të mëdha parash).
  • Mungesë përqendrimi, boshllek kujtese për shkak të rënies së vëmendjes
  • Vuajtje nga pagjumësia apo fjetje e zgjatur.
    Edhe pagjumësia dhe përgjumja e pazakontë mund të zbulojnë përdorimin e drogës. P.sh. nëse personi duket jashtëzakonisht letargjik dhe i lodhur, apo ka energji maniake dhe nuk ndjenë nevojë për të fjetur. Dmth nëse luhatet vazhdimisht midis niveleve të energjisë së lartë dhe ulët, midis periudhave të gjumit të tepruar dhe të pamjaftueshëm, atëherë duhet të mendoni që po bien këmbanat e alarmit.
    Një konsumues i heroinës mund të përjetojë një valë euforike të energjisë e cila pastaj mund të pasojë me fjetje të menjëhershme, madje edhe në një pozicion vertikal. Alkoolistët mund të jenë plot energji natën dhe pastaj të flenë shumë në mëngjes. Ata ndonjëherë madje nuk e durojnë dritën dhe zhurmën. Tripi nën LSD mund të zgjasë deri në dymbëdhjetë orë. Apo nga ekstazia personi nuk mund të fle. Pasi të kalojë ngazëllimi konsumuesi shpesh rrëzohet dhe fle për një ditë të tërë.
  • Mungesa e apetitit psh. tek përdorimi i drogave stimulante.
  • Infeksionet e shpeshta për shkak të rënies së imunitetit.

HAPAT QË DUHET NDËRMARRË;

  1. Kushtojini vëmendje pamjes fizike. Mungesa e higjienës personale, humbja e interesit për veshje mund të jetë një tregues i problemi të drogës. Sidomos tek personat të cilët kanë qenë dikur të dhënë pas veshjes dhe paraqitjes së tyre të jashtme. Rrobat duhet kontrolluar mos kanë shenja vjelljeje, urinimi, gjaku ose djegieje.
  2. Kushtojini vëmendje të veçantë syve të personit. Sytë e një personi shpesh ndryshojnë kur janë nën ndikimin e drogave.
    •Alkooli i bën sytë të duken të pakoordinuar dhe të marrin pamje qelqore.
    •Marihuana i skuq sytë.
    •LSD, ekstazia, kokaina, amfetamina dhe metafetamina i zgjeron bebëzat e syrit.
    •Heroina dhe t’gjitha opiatet, i ngushtojnë bebëzat e syve.
  3. Kushtojini vëmendje aromës trupore.
    Alkooli dhe drogat gjithmonë mund të zbulohen nga aroma e keqe e një personi, çoftë në rroba apo në aromën e lëkurës. Aroma trupore për shkak të higjenës së mangët personale mund të jetë patjetër një tregues i përdorimit të drogës. Aroma e alkoolit mund të ndjehet shumë kohë pas pijes së fundit në frymën e një personi. Ajo madje mund të lirohet edhe ditën tjetër nga poret e lëkurës. Era e marihuanës mund të mbetet gjatë në rroba. Marihuana në përgjithësi është  burim i fortë i aromës. Ata që konsumojnë Metamfetamina ( Crystal Meth) kundërmojnë shumë keq (erë squfuri, vezë të kalbura apo pastrues kimikë të fortë). Ata që tymosin kokainë (Crack) kundërmojnë në goma të djegura, benzinë, eter ose plastikë. Heroina kundërmon aromë uthulle. 
  4. Kushtojini vëmendje gjakderdhjeve të shpeshta nga hunda.Marrja e kokainës, heroinës, metamfetaminës, ekstazisë e drogave tjera nëpërmes hundës me kohën dëmton mukozën e ndjeshme të hundës dhe kështu vie tek gjakderdhjet e shpeshta. KUJDES: gjakderdhjet e hundës si të vetme pa shënjat tjera nuk janë tregues të konsumit. Ato mund të jenë me etiologji të ndryshme.
  5. Kushtojini vëmendje kur mbulojnë trupin e tyre me veshje të gjata edhe gjatë verës. Ata ndoshta duan të mbulojnë absceset, infeksionet dhe dëmtimet e lëkurës veçanërisht në regjionin e venave në pjesën e përparme të bërrylit që mund të jetë një tregues i injektimit të drogave. Drogat e injektuara me një gjilpërë janë veçanërisht të rrezikshme, pasi gjilpërat e papastra rrisin rrezikun e infeksionit dhe rrezikun e transmetimit të sëmundjeve përfshirë virusin HIV dhe Hepatitin C. Punksionet e përsëritura shkaktojnë plagë gjithnjë e më të qarta në lëkurë. Sa më shpesh që një person injekton drogë, aq më shpesh duhet të kërkojë vende të reja për injektim, sepse vendet e vjetra mund të jenë të infektuara.
  6. Kushtojini vëmendje reagimeve të pazakonta të trupit. Kur dikush p.sh. dridhet edhe pse është nxehtë mund të jetë shkak i simptomave të tërheqjes (abstinencës). Nëse dikush është i varur nga droga, simptomat e tërheqjes mund të fillojnë disa orë pas përdorimit të tyre të fundit. Secila drogë tregon kohë të ndryshme të simptomave të abstinencës poashtu, simptome të veqanta por disa janë të përgjithshme, si; sytë e përlotur, teshtima e madhe, kollitja, dhimbja e kokës, palpitacionet, nauzeja, të vjellat dhe barkqitjet.Këto janë disa nga shënjat treguese të abuzimit të drogës.
  7. Edhe njëherë jini të kujdesshëm në hapat e mëtejmë ashtu siq e kam cekur më lartë. Në të kundërten fëmija, i afërmi, miku apo i njohuri i juaj do të largohet nga ju. Me këtë nuk i keni ndihmuar as atij as vetes. Kërkoni ndihmë profesionale. Suksesi ekziston, edhe pse mendoni që jeni të triumfuar.

Post a Comment

Previous Next

نموذج الاتصال